Gjetjet e studimit "Mjedis Mundësues për Sipermarrjet të Qëndrueshme në Shqipëri" në kuadër të "Vështirësive kryesore që hasin bizneset në Shqipëri" u paraqitën gjatë konferencës së mbajtur më 5 dhjetor 2017, në Hotel Plaza Tiranë, me pjesëmarrjen e partnerëve kryesorë të projektit, Biznes Albania dhe Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO), si dhe shoqatave të biznesit. Studimi u krye nga Instituti për Kërkime dhe Alternativa Zhvillimi (IDRA) duke ndjekur metodologjinë përkatëse të ILO-s për studime të ngjashme. Rezultatet përfundimtare të studimit identifikuan, në bashkëpunim me fokus grupet, pesë çështjet kryesore për punëdhënësit në Shqipëri. Për këto pesë kufizime kryesore, një pyetësor u zhvillua si bazë për intervistat me drejtuesit e 400 kompanive shqiptare.
Konkurrenca e pandershme, çështjet tatimore, kompleksiteti dhe paparashikueshmëria e kuadrit ligjor dhe rregullator, mospërputhja e aftësive dhe korrupsioni duket se janë pengesat më të mëdha për bizneset shqiptare. Fushata anti-informale e ndërmarrë nga Qeveria e Shqipërisë në fund të vitit 2015, i ka dhënë një rëndësi më të madhe konkurrencës së pandershme dhe çështjeve të tjera që lidhen me sistemin tatimor.
Sa i përket normave tatimore, kompanitë duket se janë më të kujdesshme në përgjigjet e tyre kur pyetën nëse tatimet që ata paguajnë janë të larta. Për më tepër, procedurat tatimore duket se konsiderohen të komplikuara nga të gjithë sektorët dhe madhësitë e çdo firme, ndërsa morali tatimor zvogëlohet për firmat më të mëdha, pasi 70% e firmave me më shumë se 10 punonjës pajtohen plotësisht se nuk është e justifikueshme të deklarohen të gjitha taksat. Një çështje tjetër mbetet paanësia e zyrtarëve tatimorë, ku më pak se 40% e firmave bien dakord mbi këtë pyetje.
Korrupsioni, është një problem kyç për një klimë të qëndrueshme për sipërmarrjet, dhe Shqipëria duket se po ecën më keq se çdo vend tjetër në rajon, veçanërisht në këtë fushë, edhe pse ka disa përmirësime të kohëve të fundit. Më shumë se 50% e kompanive, thonë se veprimtaria e tyre nuk mund të kryhet pa ryshfete. Për më tepër, një pjesë e konsiderueshme e kompanive tregojnë se, marrëdhëniet midis zyrtarëve shtetërorë dhe drejtuesve të biznezeve përfshijnë ryshfete ose kontribute të tjera. Gjetjet tregojnë se nevojitet më shumë transparencë në veprimtarinë e sektorit publik dhe një mekanizëm të mirëpërcaktuar për ankesat dhe kerkesat e qytetarëve dhe kompanive që duhet të përdorin kundrejt adminsitratës publike.
Duke iu referuar studimit "Vështirësitë kryesore që hasin bizneset në Shqipëri", BA me mbështetjen e ILO-s dhe IDRA, zhvilloi hulumtimin për të hartuar një politikë strategjike duke vënë theksin në pesë çështjet kryesore: Normat tatimorë dhe administrata tatimore, Korrupsioni, Niveli i lartë i informalitetit dhe konkurrenca e pandershme, Trajtimi i pamjaftueshëm dhe mosperputhja e aftësive, Korniza e dobët ligjore dhe rregullatore. Prej rekomandimeve të bëra nga ky studim, do të mund të përfitojnë politikë-bërësit, shoqatat e biznesit, sindikatat dhe shoqëria civile për të mbështetur në përmirësimin e klimës së biznesit, dhe mundësuar rritjen e biznesit për ta bërë Shqipërinë një vend të suksesshëm.
Studimi "Mjedis Mundësues për Sipërmarrje të Qëndrueshme në Shqipëri" u krye gjatë periudhës Tetor - Dhjetor 2016, dhe IDRA ishte organizata që zhvilloi metodologjinë për vlerësimin e pengesave kryesore dhe problemeve të biznesit në Shqipëri. Studimi përfshin një qasje të kombinuar metodologjike me mbështetjen teknike dhe financiare të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO), dhe synon të rrisë profilin e Biznes Albania si aktor politik në vend.
Për më shumë infomacion referojuni: Raporti "Mjedis Mundësues për Sipermarrje të Qëndrueshme në Shqipëri" (Shqip)