Studimi “Liria e Votes dhe Votimi Familiar” i kryer nga Instituti për Kërkime dhe Alternativa Zhvillimi (IDRA) me mbështetjen teknike dhe financiare nga UN Women[1], bazohet në një anketë kombëtare me 2000 persona me moshë 18 vjeç e lart. Synimi i përgjithshëm i këtij studimi është të nxjerrë në pah opinionet e qytetarëve mbi praktikat e ndryshme që mund të ndërhyjnë në lirinë e votimit, vlerësimin e fenomenit të “votimit familjar” si dhe të identifikojë mangësitë (ligjore, kulturore, dhe strukturore) që fshihen pas këtyre fenomeneve.
Shumica dërrmuese e të intervistuarve (93%) deklarojnë se janë ndjerë “tërësisht të lirë” kur kanë votuar në zgjedhjet e 2013. Kjo gjetje sugjeron se presioni i dallueshëm, i drejtpërdrejtë apo i dhunshëm, për të votuar kundër dëshirës së individit nuk ka qenë shumë i pranishëm në këto zgjedhje. Megjithatë, kjo nuk do të thotë që votuesve nuk u janë premtuar favore në këmbim të votës. Në fakt, pothuajse 43% e të intervistuarve deklarojnë se janë në dijeni të rasteve në të cilat favore apo shërbime janë premtuar në këmbim të votës. Specifikisht, hedhja e votes për “të mbajtur vendin e punës”, për “të gjeturpunë pas zgjedhjeve” dhe për të “përfituar para apo dhurata” janë përmendur si fenomene të hasura shpesh nga më shumë se një e treta e të intervistuarve.
Interesi i ulët ndaj çështjeve politike apo ato të qeverisjes, vihet re në shumicën e popullsisë dhe veçanërisht te gjinia femërore. Rreth 1 në 3 të intervistuar (34%) “nuk është aspak i interesuar” ndaj politikës, ndërsa 18% e të intervistuarve shfaqin nivele shumë të ulta interesi ndaj saj (“nuk janë të interesuar”). Ndarja sipas gjinisë nxjerr në pah se femrat janë më pak të interesuara për çështjet politikë sesa meshkujt (38% e femrave në krahasim me 29% të meshkujve pohojnë se “nuk janë aspak të interesuar”). Rreth 25% e meshkujve të intervistuar deklarojnë se janë “shumë të interesuar” në krahasim me vetëm 12% të femrave të cilat pohojnë të njëjtën gjë.
Angazhimi qytetar, i matur nga niveli i anëtarësimit në organizata politike apo organizata jo-qeveritare, është përgjithësisht i dobët. Vetëm 1 në 10 të intervistuar deklaron që është anëtar i ndonjë partie politike, 1 në 30 deklaron që është pjesë e ndonjë grupi fetar dhe një numër i papërfillshëm deklaron se është pjesëtar i ndonjë organizate jo qeveritare. Pjesëmarrja e femrave në këto organizata është edhe më i ulët. Pothuajse 9 në 10 gra pohojnë se nuk kanë qënë asnjëherë anëtare të partive politike, krahasuar me 7 në 10 meshkuj që pohojnë të njëjtën gjë.
Femrat shfaqin nivele më të ulëta angazhimi edhe përsa i përket përdorimit të instrumentave të ndryshëm për të shprehur mendimin e tyre rreth çështjeve politike apo shoqërore. Vetëm 12% e femrave deklarojnë se kanë kontaktuar me zyrtarë publik në 12 muajt e fundit, për të shprehur opinionin e tyre; vlerë kjo dy herë më e ulët se përqindja e meshkujve që deklarojnë të njëjtën gjë. Edhe më shqetësues është fakti që 41% e femrave deklarojnë se nuk do të kontaktonin apo vizitonin kurrë ndonjë zyrtar shtetëror për të shprehur mendimin e tyre në lidhje me çështjet politike apo sociale, një numër ky shumë më i lartë se ai i meshkujve që pohojnë të njëjtën gjë (25%). Përdorimi i rrjeteve sociale (Facebook, Twitter etj) për të shprehur mendime politike apo shoqërore është gjithashtu shumë i ulët (8% e meshkujve dhe 6% e femrave deklarojnë se i kanë përdorur këto instrumente). Peticionet, protestat/demostratat apo edhe burimet mediatike janë ndër instrumentat më pak të përdorura për këtë qëllim.
Megjithëse shumica e shqiptarëve deklaron mbështetje për një pjesëmarrje më të lartë të femrave në politikë, një pjesë e konsiderueshme e tyre, edhe midis femrave te intervistuara, mendon që “meshkujt janë udhëheqës politikë më të mirë se femrat”. 58% e meshkujve dhe 38% e femrave janë dakord me pohimin që “meshkujt janë lidera politikë më të mire se femrat”. Kjo gjetje sugjeron se ndërsa pranohet që pjesëmarrja më e lartë e femrave në politikë është qëndrimi i duhur politik, ky opinion nuk përkthehet në një besim të shumëpranuar nga të gjithë dhe nuk ndërmerren hapa konkrete për ta realizuar një gjë të tillë.